Me projektligjin e ri mund të blini nënshtetësinë e Shqipërisë

Së fundmi qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj për mënyrën sesi mund të fitohet shtetësia shqiptare. Ky projektligj ka zgjeruar mundësitë e përfitimit të shtetësisë me dy pika të tjera.

Në një intervistë për mediet, zv. Ministrja e Brendshme, Rovena Voda, shpjegoi se cilat janë këto dy pika:

“Kemi shtuar origjinën dhe lindjen në territorin shqiptar. Me origjine kuptojmë që individi duhet të ketë paralindësit e tij deri në tre shkallë me origjinë shqiptare”, tha Voda, raporton Tch, qe transmeton Gaezta New Born.

Tashmë, fëmijët që lindin jashtë Shqipërisë, por që të dy prindërit i kanë me shtetësi shqiptare, e fitojnë automatikisht këtë të fundit.

“Fëmijët e kanë më të lehtë të fitojnë shtetësinë, nëse të dy prindërit i kanë me shtetësi shqiptare”, shtoi zëvendësministrja.

Risia në këtë projektligj është që vendi ynë do të jap shtetësi shqiptare edhe për investitorët e huaj, të cilët kundrejt një shumë që pritet të jetë e lartë, por që ende nuk është përcaktuar, do mund të marrin pasaportë shqiptare.

Sipas zv.minsitres Voda, kjo do të bëhet për qëllime ekonomike të vendit tonë, duke shmangur dyshimet që mund të lidhen me aktivitete të jashtëligjshme të atyre që do të marrin shtetësinë shqiptare.

“Do jemi të kujdesshëm. Do të bëjmë kontrollin e investimit dhe do të ruajmë standardet, në mënyrë që të mos kemi dyshime për pastrime parash”, tha ajo.

“Koha Ditore” kujton se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pas marrjes së mandatit tij, me propozim të Ministrisë së Kulturës së Republikës Shqipërisë, ua ka dhënë shtetësinë e Shqipërisë edhe disa prej figurave të jetës artistike në Kosovë, si këngëtarëve Shkurte Fejza, Mihrije Braha, Shyhrete Behluli. Shtetësinë e Shqipërisë e ka marrë me këtë rast edhe bashkëshorti i Shyhrete Behlulit, Luan Salihu, pastaj këngëtarë e artistë nga Kosova, si Shpat Deda, Mentor Zymberaj, këngëtarë nga Maqedonia, përkatësisht Venera Lumani e Lind Islami, figura të jetës filmike e skenike në Kosovë, si Ilir Gjocaj, Gani Mehmetaj e Edon Agushi, ish-drejtori i Galerisë së Arteve të Kosovës, aktualisht drejtor i GKA-së së Shqipërisë, Erzen Shkololli, gazetarja e RTK-së, Mirjeta Baraliu, gazetarja nga Gjakova, Blerina Rizvanolli, dhe futbollistja nga Suhareka, Zelfije Bajramaj.

Shtetësinë shqiptare vitet e fundit e ka marrë edhe Fatos Mustafa, si zëvendëssekretar i përgjithshëm i RYCO (Zyra rajonale për të Rinj) dhe bashkëshortja e tij Luljeta Mustafa (Menga).

Ndërsa shtetësinë shqiptare me dekret të presidentit Bujar Nishani gjatë vitit 2016 e kanë marrë figura të tjera të artit në Kosovë, si tenori Ramë Lahaj, Latif Hasolli, pastaj këngëtaret e këngëtarët si: Era Istrefi, Getoar Selimi, Edi Furra me babanë dhe bashkëshorten, si dhe Ledion Jetishi, djali i Shkëlzen Jetishit. Me shtetësi shqiptare, me dekret të Bujar Nishanit është pajisur edhe piktori Shyqri Nimani, profesori që ka shkruar në pergamenë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, gazetarët nga Kosova, Isuf Kurtaj, që punonte në shtypin e shkruar në Shqipëri dhe Berat Buzhala.

Gjatë vitit 2016, shtetësinë shqiptare e kanë marrë edhe futbollistë nga Kosova që luajnë apo kanë luajtur për skuadrat e Superligës në Shqipëri, si Labinot Ibrahimi, Ylber Ramadani e Mentor Mazrekaj, dhe të gjithë futbollistët nga Kosova që luajnë për përfaqësuesen parë të Shqipërisë dhe ato të shpresave dhe grupmoshave U-19 e U-17.

Por përmes dekretit të Presidentit të Shqipërisë, shtetësia u është ofruar një numri të madh të politikanëve nga Kosova. Me dekretin me nr.10152 shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita, e më pas edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Më herët shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, deputetët Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Mirsad Shkreta dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Gjithashtu shtetësinë e Shqipërisë më herët e ka marrë edhe Hydajet Hyseni.

Shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe ish-nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi dhe bashkëshortja e tij Fatmira, ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, deputeti i LDK-së, Arben Gashi dhe ish-deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti.

Presidenti Ilir Meta ua ka dhënë shtetësinë e Shqipërisë edhe zyrtares së lartë ekzekutive të presidentit të Republikës Kosovës, Hana Bajrami (Rexhepi) dhe fotografit të Presidencës, Astrit Ibrahimi.

Shtetësinë shqiptare në vitin 2016, krahas shumë qytetarëve të Kosovës e kanë marrë përnjëherë edhe 9 pjesëtarë të familjes Pacolli, përfshirë edhe Selim Pacollin, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, si dhe zyrtari i AKR-së, Sami Bejtullahu.

Por sikurse politikanët, shtetësinë e Shqipërisë e kanë siguruar edhe personalitete të tjera që bartin funksione të larta. Në mesin e tyre janë: kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, ish-shefi i Njësisë për luftë kundër kriminalitetit ekonomik, Nazim Sahiti, ish-drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ish-drejtori i Agjencisë Kosovare për Privatizim, Ekrem Hajdari.

Dyndja e politikanëve, por edhe figurave të artit e jetës publike në Kosovë për të marrë shtetësinë e Shqipërisë ka ndodhur ndërkohë që pjesa tjetër e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të mbesin të izoluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *